Logo Luan Morina
  Tregime me moral > Luani dhe dhelpra e zgjuar

Para shumë vitesh jetonte një Luan në një pyll të dendur. Kur u zgjua ky në një mëngjes i tha gruaja e tij Luanesha se po i vinte erë e keqe e gojës së tij. Luanit nuk i erdhi hiq mirë kur e dëgjoi këtë. Për ta vërtetuar se a me të vërtetë po i vjen erë e keqe e gojës së tij ai i thirri kafshët tjera jashtë shpellës.

Së pari erdhi delja si delegat. Luani e hapi gojën dhe tha: "Dele, më thuaj so a po i vjen erë e keqe gojës sime?" Delja mendoi se Luani donte një përgjigje të sinqertë, kështu që Delja i tha atij: “Po. Me të vërtetë po i vjen erë e keqe gojës tënde.” Kjo përgjigje nuk i shkoi mirë Luanit. Ai u hodh mbi Delen, dhe e mbyti.

Pas Deles Luani e thirri Ujkun dhe e pyeti: “Çfarë mendon ti, o Ujk? A po i vjen erë e keqe gojës sime?” Ujku e pa se çka kishte ndodhur me Delen. Ai nga frika ishte shumë i kujdesshëm në përgjigjen e tij. Kështu, ujku i tha atij: “Kush të ka thënë o Luan se gojës tënde i vjen erë e pakëndshme? Era e gojës tëndë është aq e ëmbël sa aroma e trëndafilave.” Kur Luani e dëgjoi përgjigjen, u zemërua shumë dhe menjëherë e mbyti ujkun. "Lajkatar gënjeshtar!" bërtiti Luani para se ta mbyste ujkun.

Më në fund i erdhi radha dhelprës. Luani ja bëri asaj të njëjtën pyetje. Dhelpra e dinte mirë fatin e Deles dhe të Ujkut. Kështu ajo u kollit disa herë dhe më pas tha: “O shok i dashur Luan, jam ftohur shumë që disa ditë. Nuk mund të nuhas asgjë, as erë të këndshme e as të pakëndshme.”

Nganjëherë është mirë që të mos e thuash të vërtetën.